Historiku i Fakultetit

Më 24 qershor 1961 u miratua Ligji për themelimin e Fakultetit Juridik-Ekonomik në Prishtinë, ndërkaq ky fakultet filloi të funksionojë në vitin akademik 1961/62.

 

Në Seksionin Ekonomik në vitin e parë të punës u angazhuan në marrëdhënie të përhershme pune vetëm dy profesorë shqiptarë, ndërsa u jepnin mësim 549 studentëve, nga të cilët 157 në studime të rregullta. Nga ky numër, studentë shqiptarë në studime të rregullta kanë qenë 64, ndërsa me korrespondencë 49. Në vitin shkollor 1971/72 Fakulteti Juridik-Ekonomik u nda në dy fakultete të pavarura - në atë Juridik dhe në atë Ekonomik.

 

Fakulteti Ekonomik i Prishtinës që prej 1 tetorit 1971 funksionon si organizatë e pavarur e arsimit të lartë.

 

Në fillim mësimi mbahej vetëm në gjuhën serbokroate, ndërsa prej vitit akademik 1970/71 edhe në gjuhën shqipe. Fakulteti Ekonomik në Prishtinë ka arritur suksese të mëdha në ngritjen e kuadrit profesional mësimor-shkencor dhe në aftësimin e ekspertëve të rinj. Përveç studimeve të rregullta katërvjeçare, në Fakultetin Ekonomik organizohen edhe studime pasdiplomike.

 

Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës aprovoi planet mësimore të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin Bachelor. Në gjysmën e dytë të vitit 2004, me rastin e ristrukturimit të studimeve themelore, u miratuan edhe planet mësimore për studime në nivel të Masterit në këto departamente: Financa, Kontabilitet, Menaxhment dhe Informatikë e Ekonomiks.

 

Më 17 korrik 2007, Senati i UP-së miratoi planin e ri mësimor për studimet Bachelor për vitin akademik 2007∕08. Në procesin mësimor janë të angazhuar 34 profesorë, 1 ligjërues dhe 11 asistentë në marrëdhënie të rregullt pune.