Profesori i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Besnik Krasniqi shpallet Shkencëtari i Vitit

    Profesori i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Besnik Krasniqi shpallet Shkencëtari i Vitit  Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e ka shpallur profesorin e Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Besnik Krasniqi “Shkencëtari i vitit 2019”.  Ky çmim i jepet kërkuesit shkencor me arritje kulmore gjatë vitit për fushën Shkenca Ekonomike dhe Sociale.
    Besnik Krasniqi ka diplomuar me sukses të shkëlqyeshëm në Fakultetin Ekonomik, në vitin 2001.  Studimet e magjistraturës i kreu në vitin 2003 e të doktoratës në vitin 2010, të dyjat në Fakultetin e Shkencave të Ekonomisë të Universitetit të Staffordshire-it në Angli. Studimet e thelluara të postdoktoratës i kreu më 2014 në Indiana Unviersity, në një ndër shkollat më të mira për politika publike në Amerikë si bursist i Fulbrightit.
    Prof. Dr. Krasniqi është staf akademik i Fakultetit Ekonomik prej shkurtit të vitit 2002.  Është i fokusuar në fushën e menaxhmentit dhe të ndërmarrësisë. Aktualisht ligjëron lëndët Menaxhimi i Biznesit të Vogël, Menaxhimi i Inovacionit dhe Metodat Kërkimore, si dhe është shef i departamentit të Menaxhmentit në Fakultetin Ekonomik. Profesori Besnik Krasniqi karrierën si ligjërues dhe kërkues shkencor e zhvillon edhe si ligjërues i ftuar dhe ligjërues i jashtëm në universitete prestigjioze si Ross School of Business, University of Michigan, SHBA; Tuck School of Business, SHBA; Maastricht School of Management, Holandë etj. 
     
    Në nëntor 2019, punimi i profesor Krasniqit është shpallur punimi më i mirë në konferencë për kontributin e tij në sfidimin e dijes ekzistuese në ndërmarrësi (Best Paper Prize for ‘Challenging the conventional wisdom in entrepreneurship), në një nga konferencat më prestigjioze në botë – RENT Entrepreneurship në Berlin.
     
    Prof. Dr. Krasniqi ka botuar mbi 100 publikime, prej të cilave 45 artikuj shkencorë në revista prestigjioze ndërkombëtare, 9 kapituj libri të botuesve të mirënjohur ndërkombëtar, si Springer, 4 libra universitarë, 28 punime në konferenca shkencore dhe mjaft raporte e publikime të tjera me karakter shkencor dhe aplikativ.  Besnik Krasniqi është një prej autorëve më të cituar nga Universiteti i Prishtinës, si dhe më i cituari mes profesorëve dhe kërkuesve shkencor në shkencat sociale. 
     
     
     
    Profesor Besnik Krasniqi është vlerë e shtuar për Fakultetin Ekonomik dhe për Universitetin e Prishtinës. Menaxhmenti dhe stafi i Fakultetit Ekonomik e përgëzon kolegun, Prof. Dr. Besnik Krasniqi për çmimin prestigjioz.  Bashkërisht do të vazhdojmë ta zhvillojmë mendimin dhe arsimimin në fushën e Ekonomisë në Kosovë. 
     
     

Arkiva e lajmeve

«maj»
MaEnPrShDi
27282930 123
45678910
11121314151617
18192021222324
25 262728293031
1234567