Fakulteti Ekonomik organizon Panairin e Punës për studentë

13 Prill 2022
SHARE

Shumë mundësi për punësim dhe ngritje në karrierë u janë prezantuar studentëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot në Panairin e Punës. Panairi me moton “Me ty në qendër”, u organizua për herë të parë në këtë format, me qëllim që komuniteti i biznesit të i ofroj studentëve të këtij fakulteti mundësi të ndryshme të avancimit profesional.

Drin Govori, student i vitit të tretë në këtë fakultet, tha që kjo ngjarje iu ka mundësuar atyre të hedhin hapin e ardhshëm në karrierë. “Kompanitë pjesëmarrëse ishin nga profile të ndryshme, por mundësitë përkonin me programet e studimit në Fakultetin Ekonomik. Shpresoj shumë që edhe në të ardhmen të kemi aktivitete të tilla, të cilat janë shumë të vlefshme për ne,” theksoi Drini.

Panairin e konsideroi shumë të rëndësishëm për veprimtarinë akademike dhe profesionale të UP-së prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, “Ne synojmë që, krahas veprimtarisë akademike, t’i përgatisim studentët tanë të përballen edhe me kërkesat e tregut të punës. “Me ty në qendër” është motoja, e cila tregon më së miri vendin e studentëve te ne. Ata janë qendra dhe rritja e tyre profesionale është qëllimi ynë”, ka thënë prorektorja Ibrani.

Nga Fakulteti Ekonomik, prof. asoc. dr. Driton Balaj, dekan i fakultetit, ka thënë se qëllimi i këtij panairi është bashkëpunimi mes komunitetit të biznesit dhe studentëve të UP-së, duke theksuar se UP-ja si institucion ka për detyrë që, përveç formimit akademik, të kontribuojë edhe në atë profesional.

Në këtë panair pjesëmarrës ishin përfaqësues të bizneseve të ndryshme në Kosovë, të cilët u kanë ofruar studentëve të UP-së njohuri për mundësitë për punë praktike dhe punësim.