Sinera Tyfekçi, programi Menaxhment

07 Maj 2025
SHARE

Në rrugëtimin akademik të çdo studenti, vjen një moment ku hapja ndaj botës bëhet thelbësore për zhvillimin personal dhe profesional. Për mua, ky moment mori formë përmes programit Erasmus+, duke ndjekur një semestër në Universitetin e Łódź-it, në Poloni.

Ditët e para në Lodz ishin si një aventurë që mezi e prisja ta filloja. Qyteti, me atmosferën e tij të ngrohtë dhe ndërtesat plot histori, më priti me krahë hapur. Çdo takim me studentë nga vende të ndryshme ishte një dritare e re për të mësuar, për të ndarë përvoja dhe për të krijuar miqësi që do të zgjasin gjatë. Njohja me realitete të reja kulturore dhe profesionale ka forcuar bindjen time se sfidimi i vetes përtej kufijve të njohur është rruga më e sigurt drejt rritjes së qëndrueshme.

Erasmus+ ofron shumë më tepër sesa një eksperiencë studimi jashtë vendit. Studimi në një klasë me studentë të shteteve të ndryshme krijon një atmosferë sfiduese dhe frymëzuese, ku çdo diskutim mund të shndërrohet në mundësi për të mësuar dhe për të ndarë ide nga kultura të ndryshme

Nëse dikush është ende në dilemë për të aplikuar në Erasmus+, dua t’ju them me bindje: mos hezitoni. Kjo nuk është vetëm një mundësi për të ndjekur studimet në një vend tjetër, është një mundësi për t’u njohur më mirë me vetveten, për të zgjeruar horizontet dhe për të ndërtuar kujtime që do t’ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Sepse, në fund të fundit, janë pikërisht ato momente kur guxojmë të dalim nga e njohura, ato që formësojnë më shumë se çdo diplomë ose mirënjohje rrugën tonë drejt të ardhmes.

Sinera Tyfekçi,
Fakulteti i Ekonomisë, drejtimi Menaxhment