Të studiosh për një semestër në Universitetin Côte d’Azur në Nice, Francë ishte një nga përvojat më të bukura që kam pasur gjatë studimeve. Në momentin që vendosa të aplikoj për programin Erasmus+, nuk e dija saktësisht se çfarë të prisja, por tani mund të them me bindje se ishte një vendim që ja vlejti.
Jeta studentore në Nice është ndryshe, shumë dinamike, dhe plot mundësi për të mësuar gjëra të reja, jo vetëm në studime, por edhe jashtë tyre.
Ajo që e bëri përvojën edhe më të veçantë ishte vetë qyteti. Ai ofron një atmosferë të gjallë, me kulturë të pasur dhe një stil jete që të bën të ndihesh mirë çdo ditë. Njoha shumë njerëz nga vende të ndryshme dhe krijova miqësi që kanë zgjatur edhe pas përfundimit të studimeve.
Jeta dhe studimi jashtë vendit më sfiduan në mënyrat më të mira dhe më kujtuan se sa shpërblyese është të dalësh nga zona jote e rehatisë.
Për mua, Erasmus+ nuk ishte vetëm një mundësi studimi, ishte një përvojë që më sfidoi të dal nga rutina e përditshme, të rritem si person, të provoj gjëra të reja dhe të njoh botën nga një perspektivë tjetër.
Delvina Kallaba
Fakulteti i Ekonomise, drejtimi Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment