Roli i Ekonomisë Digjitale në zhvillimin e bizneseve në Kosovë

08 Prill 2025
SHARE


Në Fakultetin e Ekonomisë patëm kënaqësinë të mirëpresim Valon Canhasin, një sipërmarrës të suksesshëm dhe ekspert në strategjitë digjitale, si folës të ftuar në ligjëratën e Ekonomisë Digjitale. Gjatë ligjëratës, ai ndau njohuri mbi ndikimin e ekonomisë digjitale në zhvillimin e bizneseve në Kosovë, duke theksuar rritjen e shpejtë të sektorit, zhvillimin e tregtisë elektronike dhe përhapjen e sistemeve të pagesave digjitale.


Canhasi foli mbi rëndësinë e të dhënave dhe teknologjisë në vendimmarrjen e bizneseve, dukeilustruar sesi të dhënat e mëdha ndihmojnë në analizën e tregut, angazhimin e konsumatorëve dhe ndërtimin e strategjive efektive. Ai gjithashtu trajtoi sfidat me të cilat përballen bizneset në shfrytëzimin e mundësive digjitale, duke përfshirë zhvillimin e aftësive digjitale dhe adoptimin e
teknologjive të reja.


Si themelues i Hallakate, një nga agjencitë kryesore të marketingut digjital në Kosovë, si dhe iniciator i platformave Shkolla.ai, Hapësira Kreative Hapite dhe Trego.live, Canhasi ndau përvojën e tij mbi ndërtimin e ekosistemeve inovative në vend. Ai gjithashtu është bashkëthemelues i Keiretsu Forum SEE, një rrjet rajonal investimesh.


Ligjërata u dha studentëve një kuptim më të thellë mbi mënyrën se si teknologjia dhe të dhënat po formësojnë tregjet dhe bizneset në Kosovë. Diskutimi theksoi rëndësinë e shkathtësive digjitale si një shytllë kyçe për suksesin e një ekonomie gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të bazuar në inovacion.