Ndërtimi i së Ardhmes Akademike të Kosovës me mbështetje të inteligjencës artificial - Rezultatet e Konferencës “Inteligjenca Artificiale në Arsimin e Lartë në Kosovë – Perspektivat dhe Sfidat”

05 Dhjetor 2025
SHARE

Në kuadër të projektit “Integration of Artificial Intelligence in Teaching and Learning in Kosovo’s Higher Education System”, i financuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe i administruar nga Kosovo United States Alumni (KUSA), Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës organizoi konferencën “Artificial Intelligence in Higher Education in Kosova – Perspectives and Challenges.” Ngjarja u mbajt më 25 nëntor 2025, në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Ekonomik. Qëllimi kryesor ishte prezantimi i rezultateve të projektit, shkëmbimi i përvojave dhe përcaktimi i strategjive për integrimin afatgjatë të AI-së në ekosistemin e arsimit të lartë në Kosovë.

Fjalët hyrëse u mbajtën nga Gentrit Berisha, Koordinator i Projektit, i cili hapi rrugën për një ditë të mbushur me dialog domethënës dhe ndarje njohurish. Më pas, Shkelzen Gërxhaliu nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës prezantoi një perspektivë institucionale mbi “Artificial Intelligence in Kosova’s HEI Ecosystem.”

Ligjërata kryesore, “Perspektiva Globale mbi AI në Arsimin: Mundësi dhe Sfidat” e mbajtur nga Dr. Sonja Christ-Brendemühl, i dha konferencës një dimension ndërkombëtar. Në vijim, programi i konferencës përfshiu prezantimin e rezultateve dhe ndikimit të projektit nga stafi I Fakultetit Ekonomisë, Lura Rexhepi Mahmutaj dhe Mjellma Carabregu Vokshi.

Ndër arritjet kryesore të projektit përfshihen identifikimi i sfidave kyçe përmes fokus grupit si: mungesa e udhëzimeve institucionale për IA, shqetësimet mbi integritetin akademik, aftësitë e pabarabarta digjitale dhe nevoja për modele të IA-së të përshtatura për kontekstin lokal. Një anketë me studentë dhe staf akademik i mbështeti këto gjetje, ndërsa projekti ka zhvilluar gjithashtu një udhëzues gjithëpërfshirës me mjetet e IA-së duke ofruar një listë të strukturuar për përdorimin e tyre të përgjegjshëm, etik dhe pedagogjikisht të qëndrueshëm në fusha si shkrimi, tutorimi, programimi, të nxënit e gjuhëve, kërkimi shkencor, vlerësimi dhe simulimet në STEM.

Për më tepër, 80 anëtarë të stafit akademik u trajnuan dhe u çertifikuan në mësimdhënie të mbështetur nga IA, duke përdorur mjete si ChatGPT, Gemini, Claude dhe Copilot. Projekti mbështeti gjithashtu hartimin e dokumentit të parë të politikave në Kosovë që ofron një kornizë etike, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt njeriut për integrimin e IA-së në arsimin e lartë. Si vazhdimësi e këtyre përpjekjeve, 150 studentë do të trajnohen gjatë muajit dhjetor për përdorimin e përgjegjshëm dhe etik të IA-së për mësim dhe zhvillim akademik.