Fakulteti i Ekonomisë organizoi trajnimin “Shkathtësitë e prezantimit bindës - Pitching Skills”, një aktivitet i dedikuar zhvillimit të aftësive komunikuese dhe profesionale që luajnë rol thelbësor në prezantimin efektiv të ideve në mjediset akademike dhe ato të punës.
Trajnimi u realizua në bashkëpunim me VentureUP dhe STIKK, me mbështetjen e projektit EnInGeP, financuar nga Austrian Development Agency. Përmes një sesioni dinamik dhe interaktiv, trajneri, Mentor Rexhepi, prezantoi parimet bazë të prezantimit bindës, strukturimin e mesazhit, prezantimin e qartë dhe mënyra praktike për ta fituar vëmendjen dhe besimin e audiencës.
Studentët patën mundësinë të marrin këshilla praktike dhe shembuj konkretë mbi mënyrën e ndërtimit të një prezantimi me ndikim, si dhe mbi rëndësinë e artikulimit të ideve në mënyrë profesionale. Ky trajnim shërben si përforcim për aftësitë e studentëve tanë, që më tej do të kenë mundësinë t’i zhvillojnë edhe përmes aktiviteteve të tjera praktike.
Ngjarja u mirëprit nga studentët, të cilët shfaqën interesim të lartë për zhvillimin e shkathtësive të prezantimit bindës, kompetenca të pazëvendësueshme në profilin e një profesionisti të ardhshëm në marketing, menaxhment dhe fusha të tjera të biznesit.
Fakulteti i Ekonomisë falënderon partnerët për kontributin e tyre dhe mbetet i përkushtuar në ofrimin e mundësive që zhvillojnë potencialin e studentëve.