Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Melita & Partners, do të organizojë një projekt të veçantë për studentët e dalluar të programeve Kontabilitet dhe Banka dhe Financa, me fokus në zhvillimin e aftësive praktike në kontabilitet dhe raportim financiar.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të përzgjidhen studentët fitues, të cilët do të përfitojnë:
- Bursë të plotë për trajnim dhe certifikim ndërkombëtar në QuickBooks
- Praktikë profesionale (internship) në kompani ose tek partnerët e saj
- Mentorim profesional dhe përgatitje për tregun e punës
- Mundësi për të ndjekur Konferencën e Kontabilitetit Digjital, të akredituar ndërkombëtarisht me orë të edukimit të vazhdueshëm profesional
Ky projekt synon të krijojë një urë të drejtpërdrejtë ndërmjet universitetit dhe industrisë, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për përvojë praktike dhe zhvillim profesional në një treg pune që kërkon gjithnjë e më shumë kompetenca digjitale në kontabilitet.
Ky partneritet paraqet një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të mësimdhënies praktike, rritjes së punësueshmërisë së studentëve dhe ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm bashkëpunimi mes fakultetit dhe sektorit privat.