Në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë 2025 (Global Entrepreneurship Week Kosova), Fakulteti i Ekonomisë organizoi panelin “Ndërmarrësia përmes rrëfimit”, një ngjarje që solli përpara studentëve dhe komunitetit akademik histori të sinqerta, sfiduese dhe frymëzuese nga ekosistemi i startup-eve në Kosovë.
Paneli mblodhi tre ndërmarrës të rinj, ish-themelues startup-esh dhe profesionistë aktivë në tregun vendor e ndërkombëtar:
- Shpend Mehmeti (TruDev & TruAcademy; ish-themelues i TRU)
- Egzon Kelmendi (Architecture Wave & Elemental Stays; ish-themelues i Scooler)
- Hana Arapi (Adding Sàrl; ish-themeluese e Videosinteza & Amam Studio)
Gjatë diskutimit të moderuar nga asistenti jonë, Besnik Avdiaj, u ndanë rrëfime të rralla mbi sfidat e krijimit dhe zhvillimit të startupit: nga momentet e para të entuziazmit dhe idesë, tek përballja me realitetin e tregut, vështirësitë emocionale, gabimet, dhe proceset e rikthimit pas dështimit. Studentët patën mundësinë të dëgjojnë nga afër përvojat autentike të themeluesve, të parashtrojnë pyetje dhe të angazhohen në një dialog të hapur e reflektues mbi ndërmarrësinë, jo si teori, por si përvojë njerëzore dhe profesionale.
Ngjarja shënoi një tjetër hap të rëndësishëm të Fakultetit në lidhjen e praktikës me akademinë dhe në angazhimin aktiv me ekosistemin ndërmarrës, duke përfshirë edhe përfaqësues të tjerë të komunitetit të startup-eve që morën pjesë si audiencë. Për këtë faleminderit të gjithë pjesëmarrësve dhe mysafirëve për kontributin e tyre të çmuar, si dhe Innovation Centre Kosovo për rolin e tyre udhëheqës në organizimin e GEW Kosova 2025. Jemi krenar që institucioni jonë shërben si vatër për mbrujtjen dhe kalitjen e ndërmarrësve të rinj.
Ky panel e dëshmoi edhe një herë se ndërmarrësia nuk është vetëm rrugë suksesi, por ajo është proces mësimi dhe rritjeje. Dhe historitë e ndara sot janë shembulli më i mirë i kësaj.