Takimi me Ekspertët për Riakreditimin e Programit Marketing BSc

05 Dhjetor 2025
SHARE

Sot, më 5 dhjetor 2025, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës u mbajt vizita zyrtare e ekipit të ekspertëve në kuadër të procesit të riakreditimit të programit Marketing BSc.

Gjatë vizitës, ekipi i ekspertëve zhvilloi një sërë takimesh të planifikuara me:

  • Menaxhmentin e fakultetit, ku u diskutuan zhvillimet strategjike dhe mbështetja institucionale për programin;
  • Stafin e sigurimit të cilësisë dhe administratën, për të adresuar proceset e brendshme të monitorimit dhe përmirësimit të cilësisë;
  • Bartësit e programit dhe stafin mësimor, me fokus në kurrikulën, metodologjitë e mësimdhënies dhe rezultatet e të nxënit;
  • Studentët e programit, të cilët ndanë përvojat e tyre akademike dhe praktike;
  • Të diplomuarit dhe punëdhënësit, që kontribuuan me vlerësime rreth qasjes së programit në tregun e punës dhe kompetencave profesionale të të diplomuarve.

Ekspertët gjithashtu vizituan hapësirat mësimore dhe laboratorike të fakultetit për të parë nga afër kushtet infrastrukturore që mbështesin procesin mësimor.

Procesi i riakreditimit është një hap thelbësor për të siguruar cilësi, transparencë dhe zhvillim të vazhdueshëm akademik. Fakulteti i Ekonomisë mbetet i përkushtuar që programet e tij të jenë në përputhje me standardet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.