Në kuadër të aktiviteteve jashtëkurrikulare të Fakultetit të Ekonomisë, me fokus në lëndët dhe temat e ndërmarrësisë dhe menaxhmentit, studentët realizuan një vizitë studimore në kompaninë e zhvillimit softuerik, Tenton, me seli në Prishtinë.
Tenton është një kompani e themeluar nga ish-studentë të Universitetit të Prishtinës, dhe vizita shërbeu si një shembull konkret i ndërlidhjes ndërmjet studimeve universitare dhe rrugëtimit profesional në sektorin e teknologjisë. Studentët u pritën nga themeluesit dhe stafi menaxherial, Albani, Arbeni dhe Flutura, së bashku me ekipin e tyre prej mbi 30 profesionistësh, të cilët krijuan një ambient të hapur dhe mikpritës për diskutim dhe ndarje përvojash.
Vizita u zhvillua në formën e një bisede të lirë dhe interaktive, ku u trajtuan tema të ndryshme që prekin realitetin e ndërmarrësisë: nga ideimi i projekteve, fillimet e para dhe dështimet, te sfidat e rritjes, menaxhimi i burimeve njerëzore, shërbimet dhe tregjet, rëndësia e rrjetëzimit, si dhe perspektivat e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Po ashtu, u diskutuan edhe mundësitë e punësimit dhe zhvillimit profesional për studentët e rinj të institucionit tonë.
Studentët u dalluan për angazhimin e tyre aktiv, pyetjet e drejtpërdrejta dhe interesimin për temat e diskutuara, duke e kthyer vizitën në një përvojë të ndërsjellë mësimore dhe reflektuese.
Vizita u organizua nga asistenti jonë, Besnik Avdiaj, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për t’u ofruar studentëve përvoja reale nga ekosistemi i biznesit dhe teknologjisë.
Fakulteti i Ekonomisë mbetet i përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat i afrojnë studentët me praktikën, nxisin mendimin kritik dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi komunitetin profesional në Kosovë.