Profesoresha shumëvjeçare e Menaxhmentit, akademike Justina Shiroka Pula, është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Ajo është anëtare e ASHAK-ut që nga viti 2016.
Pas një mandati si sekretare e Seksionit të Shkencave Sociale dhe më pas si nënkryetare e ASHAK-ut, akademike Shiroka Pula tani është votuar në pozitën më të lartë drejtuese të këtij institucioni.
Akademike Shiroka Pula ka qenë pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Ekonomisë që nga viti 1979. Në këtë fakultet ajo ka përfunduar studimet themelore dhe ato të doktoraturës, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në Universitetin e Zagrebit.
Gjatë karrierës së saj akademike, ajo ka publikuar dhjetëra punime shkencore, libra dhe kumtesa në fushën e ekonomisë dhe menaxhmentit.
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, si institucioni më i lartë i dijes në vend, për herë të parë në historinë e saj ka një kryetare. Akademike Justina Shiroka Pula e pason në këtë pozitë akademik Mehmet Kraja.