Fakulteti i Ekonomisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, si dhe me NLB Bankën, ka lansuar sot programin Data Hackathon, një iniciativë e dedikuar zhvillimit të zgjidhjeve inovative nga studentët në fushën e teknologjisë, analizës së të dhënave dhe transformimit digjital.
Hapja zyrtare e programit u bë nga Prof. Asoc. Vlora Prenaj, Prodekane në Fakultetin e Ekonomisë. Me këtë rast, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Driton Balaj, shprehu mirënjohjen e tij për këtë partneritet të rëndësishëm, duke theksuar ndikimin e tij në përgatitjen profesionale të studentëve: “Ky bashkëpunim u ofron studentëve tanë përvojë reale dhe një platformë konkrete për të aplikuar njohuritë e tyre në projekte me ndikim praktik. Falënderojmë NLB Bankën për mbështetjen e vazhdueshme të këtij programi.”
Iniciativa u përshëndet gjithashtu nga Kryetari i Bordit Udhëheqës të NLB Bankës, z. Gem Maloku, i cili iu drejtua studentëve me një mesazh frymëzues: “Shfrytëzojeni këtë mundësi unike për të shprehur kreativitetin tuaj dhe mos hezitoni të vini me ide të guximshme e novatore. Ky është momenti juaj për të menduar ndryshe, për të eksperimentuar dhe për të treguar se si kreativiteti mund të shndërrohet në zgjidhje konkrete.”
Më pas, programi dhe struktura e hackathon-it u prezantuan nga znj. Majlinda Kastrati, zyrtare e bazës së të dhënave në NLB Bankë. Në vijim, studentët prezantuan idetë e tyre fillestare, duke dëshmuar aftësi të theksuara në mendim kritik, kreativitet dhe qasje analitike. Gjatë tri javëve në vijim, ata do të punojnë intensivisht në konceptimin dhe zhvillimin e projekteve të tyre, të cilat në fund do të vlerësohen dhe shpërblehen.
Data Hackathon 2026 synon të krijojë një hapësirë reale inovacioni, ku studentët sfidojnë veten dhe njëri-tjetrin për të sjellë ide të reja me potencial ndikimi në sektorin financiar dhe më gjerë.