Studentët e Fakultetit të Ekonomisë shpërblehen në kuadër të Javës Globale të Parasë 2026

19 Mars 2026
SHARE

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) për shënimin e Javës Globale të Parasë 2026, studentët e Fakultetit të Ekonomisë janë vlerësuar me çmime në garën “Stock Market Learning Competition Game”.

Ky konkurs, i zhvilluar gjatë periudhës tetor 2025 – janar 2026, përfshiu gjithsej 42 studentë nga tetë fakultete të ekonomisë në vend. Studentët patën mundësinë të simulojnë tregtimin në bursë përmes platformës virtuale të Stuttgartit, duke fituar përvojë praktike në investime dhe analizë të tregjeve financiare.

Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë gjithsej 11 çmime për pjesëmarrësit më të suksesshëm, ku ndër fituesit ishin edhe studentët e Fakultetit të Ekonomisë: Renesa Bajrami, Erza Berisha, Lorik Sadriu dhe Erdall Boshnjaku, të cilët u dalluan për performancën dhe aftësitë e tyre analitike.

Ky sukses dëshmon për përkushtimin dhe cilësinë e studentëve tanë në fushën e financave dhe investimeve, si dhe për rëndësinë e përfshirjes në aktivitete praktike që kontribuojnë në zhvillimin profesional të tyre.