Përmbyllja e Digital Accounting Conference 2026 dhe Shpallja e Grupit Fitues

22 Prill 2026
SHARE

Në kuadër të projektit “Bursë për Studentët e Kontabilitetit dhe Financave për trajnim dhe certifikim ndërkombëtar në QuickBooks”, i realizuar në bashkëpunim ndërmjet Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Prishtinës dhe Melita & Partners, u mbajt me sukses Digital Accounting Conference 2026, ku studentët pjesëmarrës patën mundësinë të prezantojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fushën e kontabilitetit digjital dhe raportimit financiar.

Në këtë aktivitet morën pjesë tri grupe studentësh, të cilët prezantuan punën dhe idetë e tyre para panelit vlerësues të udhëhequr nga Prof.Asoc.Edona Perjuci, Prof.Asoc.Arber Hoti dhe Znj.Ardiana Krasniqi Fetahu, drejtoreshë financiare në Skardian.

Pas vlerësimit të performancës së secilit grup, u shpall një grup fitues, i cili do të përfitojë:

  • Shpërblim financiar në vlerë prej 100 Euro bruto për studentë
  • Trajnim profesional dhe certifikim në QuickBooks
  • Mentorim profesional dhe mundësi për punë praktike
  • Certifikatë pjesëmarrjeje dhe 12 orë CPD (Continuous Professional Development)
  • Përfshirje prioritare në programe dhe iniciativa të ardhshme profesionale

Ky projekt dëshmoi rëndësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë ndërmjet universitetit dhe industrisë, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për zhvillim profesional, përvojë praktike dhe avancim të kompetencave digjitale në fushën e kontabilitetit dhe financave.

Falënderojmë të gjithë studentët për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë konferencës, si dhe shprehim mirënjohje të veçantë për Melita&Partners për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në krijimin e mundësive profesionale për studentët tanë. Grupit fitues i urojmë shumë suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejmë profesional.