Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës

29 Prill 2026
SHARE

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Driton Balaj, së bashku me stafin akademik, realizoi një vizitë zyrtare në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

Gjatë kësaj vizite, Dekani Prof. Driton Balaj dhe Dekani i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Prof. Asoc. Bernard Dosti, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Në takim morën pjesë edhe prodekanet e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, të cilat diskutuan me homologet e tyre për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Kjo marrëveshje synon thellimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy fakulteteve, duke përfshirë zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e stafit akademik, organizimin e aktiviteteve shkencore dhe promovimin e iniciativave të përbashkëta në interes të zhvillimit institucional.

Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillim akademik e profesional.