Dekani i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Driton Balaj, së bashku me prodekanet dhe stafin akademik, ka realizuar një vizitë zyrtare në Fakultetin e Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i Fakultetit të Ekonomisë është pritur nga Dekani i Fakultetit të Biznesit, Prof. Asoc. Llambi Prendi, me të cilin janë diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zgjerimin e partneriteteve akademike në funksion të ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë. Gjithashtu, dekani dhe delegacioni janë pritur edhe nga Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, ku është theksuar rëndësia e zhvillimit të bashkëpunimit të qëndrueshëm akademik ndërmjet dy universiteteve.
Gjatë takimeve janë trajtuar mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional, duke përfshirë realizimin e projekteve të përbashkëta, organizimin e konferencave dhe seminareve, shkëmbimin e përvojave akademike si dhe mbështetjen e studentëve në zhvillimin e praktikave mësimore.
Përmes këtij bashkëpunimi, të dy institucionet synojnë të kontribuojnë në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në fushën e arsimit dhe ekonomisë.