Studentët e Universitetit të Prishtinës, Era Hysa dhe Arsim Llazani nga Fakulteti i Ekonomisë, si dhe Anda Fejza nga Fakulteti Juridik, realizuan një vizitë në Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku ndanë përvojat e tyre akademike dhe rrugëtimin universitar me nxënësit e shkollës.
Gjatë kësaj vizite, studentët prezantuan përvojën e tyre në studime, sfidat dhe mundësitë që ofrojnë Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti Juridik, duke synuar të motivojnë nxënësit për të ndjekur studimet e larta dhe për të ndërtuar karrierën e tyre profesionale.
Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të forcuar lidhjen ndërmjet universitetit dhe shkollave të mesme, si dhe për të inkurajuar orientimin e hershëm akademik të nxënësve.