Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës pati kënaqësinë të mirëpresë në një vizitë zyrtare delegacionin nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, të kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Bekim Fetaji, së bashku me Dekanen e Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Bukurie Imeri, dhe Prodekanen e Fakultetit.
Delegacioni u prit nga drejtuesit e Fakultetit të Ekonomisë, ku u zhvillua një takim pune në frymë bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv, me fokus forcimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy fakulteteve.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, konferencave, projekteve kërkimore dhe iniciativave që kontribuojnë në avancimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Të dy palët shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dhe konkretizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen, në funksion të zhvillimit akademik dhe shkencor.