Fakulteti i Ekonomisë përfaqësohet në Konferencën e SCAAK-ut 25 vjet në avancimin e profesionit – nga themelet drejt transformimit

27 Maj 2026
SHARE

Prodekanja për kërkime shkencore dhe bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Asoc. Vlora Prenaj mori pjesë në konferencën “25 vjet në Avancimin e Profesionit: Nga themelet drejt transformimit”, e organizuar nga SCAAK.

Në kuadër të konferencës u zhvillua edhe paneli i nivelit të lartë “E ardhmja e profesionit të kontabilitetit: Teknologjia, talenti dhe transformimi”, ku u diskutuan çështje me rëndësi strategjike për zhvillimin e profesionit dhe tregut të punës. Diskutimi u fokusua në ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në profesionin e kontabilitetit, të ardhmen e talenteve dhe atraktivitetin e profesionit, si dhe nevojën për transformim të vazhdueshëm të arsimit, zhvillimit profesional dhe mjedisit të biznesit.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e përshtatjes së institucioneve akademike me realitetin e transformimit digjital dhe nevoja për ndryshime në kurrikula, me qëllim të përgatitjes së studentëve për ekonominë e së ardhmes dhe kërkesat dinamike të tregut profesional.

Pjesëmarrja në këtë konferencë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe profesionit, si dhe për shkëmbimin e praktikave dhe vizioneve mbi të ardhmen e kontabilitetit dhe financave.