Datathon Challenge 2026: Studentët shndërrojnë të dhënat në njohuri dhe zgjidhje për sfidat e shoqërisë

05 Qershor 2026
SHARE

Datathon Challenge 2026, i organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës dhe  projekti 4InnoPipe2, dëshmoi se si të dhënat mund të shndërrohen në histori të fuqishme që na ndihmojnë të kuptojmë më mirë realitetet ekonomike dhe shoqërore të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Duke bashkuar 13 ekipe dhe rreth 40 studentë, gara sfidoi pjesëmarrësit të eksploronin të dhënat e platformës Datasphere, të identifikonin modele dhe trende domethënëse, si dhe t’i komunikonin gjetjet e tyre përmes analizave dhe tregimeve të bazuara në evidencë. Gjatë gjithë procesit, studentët u mentoruan nga Prof.Asoc. Albulena Shala dhe Prof.Asoc. Mjellma Carabregu Vokshi, të cilat i udhëzuan ekipet në kombinimin e analizës statistikore me aftësitë e komunikimit dhe interpretimit të të dhënave.

Temat e trajtuara pasqyruan disa nga sfidat dhe mundësitë më të rëndësishme me të cilat përballet shoqëria jonë sot, duke përfshirë: varësinë ekonomike, remitancat, barazinë gjinore, korrupsionin, sipërmarrjen, migrimin e të rinjve, tranzicionin e gjelbër, punësimin, inteligjencën artificiale në arsim, përputhjen ndërmjet akademisë dhe tregut të punës, inflacionin, zhvillimin makroekonomik dhe sipërmarrjen e grave. Prezantimet dëshmuan se të dhënat nuk janë thjesht numra, por një instrument i rëndësishëm për të kuptuar njerëzit, politikat publike dhe drejtimet e zhvillimit të ardhshëm.

Përmes kombinimit të analizës së të dhënave, mendimit kritik, kreativitetit dhe aftësive prezantuese, ekipet studentore transformuan të dhëna komplekse në njohuri dhe rekomandime të vlefshme mbi çështje ekonomike dhe shoqërore me rëndësi për Kosovën dhe rajonin.

Një falënderim i veçantë shkon për anëtarët ndërkombëtarë të jurisë: Titta Pirkola, But Dedaj, Dubravka Kovačević, Monika Sonta dhe Lyubomyr Matskeh, të cilët me ekspertizën dhe komentet e tyre profesionale pasuruan përvojën e të gjithë pjesëmarrësve.

Pas një gare shumë konkurruese, juria përzgjodhi tre ekipet fituese:

🏆 Zgjidhja më kreative (Most Creative Solution)
“Bridging the Gap: Aligning Academia with the Modern Labor Market”
Anjeza Rrustolli, Melosa Malushi dhe Mendim Smajli

🏆 Analiza statistikore më e thelluar (Deepest Statistical Analysis)
“An Analysis of Control of Corruption Indicators”
Aurora Berisha dhe Arbreshe Mazreku

🏆 Aplikimi ekonomik më praktik (Most Practical Economic Application)
“The Shrinking Basket: Inflation vs. The Kitchen Tables of Kosovo”
Alba Surdulli dhe Liza Koliqi

Urime të gjithë studentëve pjesëmarrës për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë garës. E ardhmja u përket jo vetëm atyre që dinë të mbledhin të dhëna, por edhe atyre që janë në gjendje t’i shndërrojnë ato në njohuri, dhe njohuritë në ndikim konkret për shoqërinë.

Prof.Asoc.Arbër Hoti – Anëtar i komisionit

Prof.Etem Iseni – Anëtar i jashtëm i komisionit