Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës organizoi një ligjëratë të hapur me Dr. Michal Rutkowski, Drejtor Rajonal i Bankës Botërore për Zhvillimin Njerëzor për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, me temën: “Roli i sektorit privat në zhvillimin njerëzor: arsimi, shëndetësia dhe politika sociale”.
Aktiviteti mblodhi stafin akademik, studentë dhe mysafirë të tjerë të interesuar, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë nga afër perspektivat dhe përvojën ndërkombëtare të Dr. Rutkowski lidhur me rolin e sektorit privat në avancimin e zhvillimit njerëzor dhe reformave sociale.
Në hapje të aktivitetit, pjesëmarrësit i përshëndeti Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Driton Balaj, i cili theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve akademike me personalitete të njohura ndërkombëtare dhe bashkëpunimit me institucione si Banka Botërore në trajtimin e temave me interes të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe social.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe znj. Carole Megevand, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, praninë e së cilës Fakulteti i Ekonomisë e vlerëson si një mbështetje të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e iniciativave akademike.
Fakulteti i Ekonomisë mbetet i përkushtuar në organizimin e aktiviteteve akademike që kontribuojnë në shkëmbimin e njohurive, diskutimeve profesionale dhe forcimin e lidhjeve me institucione ndërkombëtare.