Stabiliteti financiar global dhe sfidat e sektorit financiar në fokus të ligjëratës publike në Fakultetin e Ekonomisë

05 Qershor 2026
SHARE

Në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës u mbajt ligjërata publike me temën “Vlerësimi i Stabilitetit Financiar Global: Ku qëndrojmë?”, e organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë.

Aktiviteti u hap nga Prodekanja e Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Asoc. Vlora Prenaj, e cila përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Fakultetit të Ekonomisë dhe BQK-së në promovimin e debatit akademik dhe profesional mbi çështjet aktuale të ekonomisë dhe financave.

Ligjërata solli para studentëve, stafit akademik dhe profesionistëve të sektorit financiar dy personalitete të shquara të fushës: z. Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar dhe Drejtor i Departamentit për Tregje Monetare dhe të Kapitalit në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Gjatë diskutimit, vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve strukturore që po e transformojnë sektorin financiar, përfshirë pagesat dhe financën digjitale, inteligjencën artificiale, rreziqet kibernetike, kripto-asetet dhe paranë digjitale. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për korniza rregullatore dhe mbikëqyrëse që mundësojnë inovacion të sigurt, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar, integritetin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Aktiviteti u karakterizua nga një bashkëbisedim interaktiv me studentë, profesorë, përfaqësues të institucioneve dhe pjesëmarrës të tjerë. Në këtë pjesë u adresuan pyetje dhe komente lidhur me zhvillimet në stabilitetin financiar global, sfidat e reja rregullatore dhe rolin e bankave qendrore në një mjedis financiar gjithnjë e më kompleks.

 

Fakulteti i Ekonomisë falënderon Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional dhe kontributin e saj në realizimin e aktiviteteve me rëndësi për studentët, stafin akademik dhe komunitetin profesional.