Profesorë nga Instituti i Kontabilitetit dhe Administrimit i Portos vizituan Fakultetin e Ekonomisë

24 Qershor 2026
SHARE

Fakulteti i Ekonomisë pati kënaqësinë të mirëpresë profesorë nga Instituti i Kontabilitetit dhe Administrimit i Portos (ISCAP), Universiteti Politeknik i Portos, Portugali, në kuadër të partneritetit dhe mobilitetit akademik Erasmus+.

Gjatë takimit me menaxhmentin e Fakultetit të Ekonomisë u diskutuan mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Diskutimet rezultuan me dy propozime konkrete për aplikime të përbashkëta në projekte ndërkombëtare, duke forcuar më tej partneritetin mes dy institucioneve.

Në kuadër të vizitës, profesorët nga Portugalia, të udhëhequr nga Paulo Botelho Pires, mbajtën një ligjëratë për studentët e Fakultetit të Ekonomisë me temën “Veglat e Inteligjencës Artificiale për Mbështetjen e Produktivitetit Akademik”. Ligjërata ofroi njohuri praktike mbi përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale në procesin e të nxënit, hulumtimit dhe punës akademike.

Fakulteti i Ekonomisë mbetet i përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik përmes programeve evropiane të mobilitetit dhe projekteve të përbashkëta.