Profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Assoc. Dr. Veton Zeqiraj, mori pjesë në Konferencën Evropiane 2026 të Financial Management Association International (FMA), një nga asociacionet më prestigjioze në botë në fushën e financave, bankave dhe institucioneve financiare, e mbajtur në Braga të Portugalisë.
Konferenca mblodhi studiues dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht dhe ofroi diskutime akademike të nivelit më të lartë, përfshirë ligjërata kryesore nga Victoria Ivashina (Harvard Business School) dhe Alex Edmans (London Business School), si dhe panele shkencore mbi financat e qëndrueshme dhe tranzicionin e gjelbër me Ian Appel, Philipp Krueger dhe Pedro Matos.
Gjatë konferencës, Prof. Zeqiraj prezantoi punimin shkencor me titull “Do Good, Perform Better? Investigating the CSR–Performance Link in Western Balkan Banks”, i cili trajton ndikimin e përgjegjësisë sociale të korporatave në performancën e bankave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Njëkohësisht, atij iu besua edhe roli i Chair-it të Sesionit 52 – Financial Intermediation: Insurance, duke përfaqësuar me dinjitet Fakultetin e Ekonomisë dhe Universitetin e Prishtinës në një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e financave.
Pjesëmarrja në konferenca të tilla ndërkombëtare ofron mundësi të vlefshme për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e rezultateve kërkimore, zgjerimin e rrjeteve profesionale dhe zhvillimin e bashkëpunimeve të reja akademike me studiues nga universitete prestigjioze botërore.