Fakulteti i Ekonomisë mirëpret profesorët vizitues të Prishtina International Summer University (PISU) 2026

17 Korrik 2026
SHARE

Gjatë vizitës së tyre në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, profesorët vizitues Prof. Dr. Claudia Tarantola nga University of Milan (Itali) dhe Prof. (FH) Dr. Armin Kammel nga Lauder Business School Vienna (Austri), të shoqëruar nga Tringa Makolli, staf administrativ në University of Milan, u pritën në një takim nga Dekanati i Fakultetit.

Në kuadër të Prishtina International Summer University (PISU) 2026, Prof. asoc. Mjellma Carrabregu dhe Prof. asoc. Albulena Shala janë bashkëligjëruese në këto kurse, duke zhvilluar mësim së bashku me profesorët ndërkombëtarë dhe duke kontribuar në ofrimin e një eksperience akademike me dimension ndërkombëtar për studentët pjesëmarrës.

Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, mobilitetin e stafit dhe studentëve, si dhe iniciativa të tjera në kuadër të ndërkombëtarizimit të Fakultetit të Ekonomisë.

Vizita e profesorëve dhe përfaqësuesve të universiteteve partnere përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare të Fakultetit dhe në krijimin e mundësive të reja për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave akademike.

Bashkëpunimet ndërkombëtare mbeten një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Fakultetit të Ekonomisë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe përvojës ndërkombëtare të studentëve dhe stafit.