Banka dhe Financa

Programi i studimit Banka dhe Financa synon të ofrojë një formim akademik bashkëkohor dhe cilësor në fushën e financave, bankave dhe tregjeve financiare. Ky program është i orientuar drejt zhvillimit të njohurive teorike të qëndrueshme dhe aftësive praktike të studentëve, duke i përgatitur ata për sfidat dhe kërkesat e sektorit financiar modern. Nëpërmjet një qasjeje të integruar të mësimdhënies dhe analizës praktike, programi kontribuon në formimin e profesionistëve kompetentë që janë të aftë të veprojnë në mënyrë efikase në institucionet financiare dhe bankare.
Përmes kurrikulës së strukturuar në përputhje me zhvillimet bashkëkohore të financave dhe me nevojat e tregut të punës, studentët pajisen me kompetenca analitike dhe profesionale që u mundësojnë të kontribuojnë në sektorin bankar, në institucionet financiare, në administratën publike, si dhe në organizata vendore dhe ndërkombëtare. Kurrikula e programit kombinon aspektet teorike me aplikimin praktik të njohurive financiare, duke përfshirë analizën e tregjeve financiare, menaxhimin e rrezikut, analizën e investimeve dhe përdorimin e teknologjive financiare. Në këtë mënyrë, programi synon të përgatisë të diplomuar që janë të aftë të marrin vendime të informuara financiare dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe financiar.

Rezultatet kryesore të të nxënit për të diplomuarit e programit Banka dhe Financa janë:

  •  Demonstron njohuri të avancuara mbi konceptet dhe parimet themelore të financave, bankave dhe tregjeve financiare, si dhe mbi funksionimin e sistemit financiar.
  •  Analizon dhe interpreton pasqyrat financiare të kompanive duke përdorur teknika të ndryshme të analizës financiare, me qëllim vlerësimin e performancës dhe marrjen e vendimeve financiare.
  •  Analizon funksionimin e industrisë së sigurimeve, duke shpjeguar konceptet dhe produktet kryesore të sigurimit, duke vlerësuar proceset e menaxhimit të rrezikut dhe aspektet aktuariale e financiare, si dhe duke interpretuar sjelljen e konsumatorit në zhvillimin dhe ofrimin e produkteve të sigurimit.
  •  Analizon dhe vlerëson ndikimin e faktorëve ESG dhe instrumenteve financiare të qëndrueshme, duke kuptuar rolin e institucioneve dhe tregjeve në promovimin e qëndrueshmërisë dhe duke aplikuar modele bazë për vlerësimin e riskut ESG.
  • Vlerëson instrumentet dhe investimet financiare duke përdorur modele dhe metoda bashkëkohore të analizës së tregjeve të kapitalit.
  •  Identifikon, analizon dhe menaxhon rreziqet financiare, përfshirë rrezikun kreditor, rrezikun e tregut, rrezikun operacional dhe rrezikun e likuiditetit.
  • Analizon politikat monetare dhe fiskale dhe vlerëson ndikimin e tyre në stabilitetin financiar dhe në zhvillimin ekonomik.
  •  Përdor metoda statistikore, teknika analitike dhe teknologji të informacionit për përpunimin dhe interpretimin e të dhënave financiare.
  • Demonstron mendim kritik dhe aftësi analitike në zgjidhjen e problemeve komplekse financiare dhe bankare.
  •  Ndjek zhvillimet bashkëkohore në financë, bankë dhe teknologji financiare (FinTech), duke treguar gatishmëri për zhvillim profesional të vazhdueshëm dhe mësim gjatë gjithë jetës.